“Poezia është një vlerë e shenjtë”
Kundera
Engjëll I. Berisha: “Kujtesë e dehur”, botoi SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2003.
Emri i Engjëll I. Berishës në letrat tona është i njohur në radhë të parë si poet e mandej edhe si gazetar, publicist e prozator. Ky krijues me vepër letrare ka dalur qysh në vitin 1992, me vëllimin poetik “Dita me hënë e me nuse” dhe që prej asaj kohe pothuajse është i pranishëm në odeonin e letërsisë sonë me shkrimet e veta qoftë letrare, qoftë publicistike. Poezia e këtij poeti është një zë që kordinohet suksesivisht në rrjedhat e poezisë bashkëkohore shqiptare, sidomos të brezit të viteve të fundit të shekullit të XX-të, i cili, brez gdhend një shenjë në piramidën krijuese të saj. Andaj edhe ky vëllim i këtij poeti e shënon një gur të vendosur sigurt në murin e veprimtarisë letrare të Engjëll I. Berishës. Por, që në fillim del konstatimi se në këtë vëllim hetohet diçka e veçantë, diçka tjetër, diçka paksa ndryshe nga ajo që është evidente në veprat e botuara deri tash të këtij krijuesi të letërsisë sonë.
E VEÇANTA DHE E PËRBASHKËTA E VËLLIMIT
Vepra “Kujtesë e dehur” përbëhet nga 36 poezi dhe nga 5 proza dhe nga fjala e poetit “Peng më mbetet fjala siç e kam lirinë” e shkruar në formë të prozës në Gjakovë – Korenicë në tetor 2003. Vepra është e ndarë në gjashtë qerthuj (cikle) ku pesë të parët mbullen me nga një prozë, që janë: 1. “Kartëpostalja e bronztë”, 2. “Anije e dehur”, 3. “Flaka e natës”, 4. “Shenjtërori i zi”, 5. “Hala e shqipes” dhe 6. “Lutje e përbashkët”. Libri hapet, përveç fjalës së autorit, me poezinë qelës “E përshpirtëshme”. Brenda kësaj “kornize” letare shtrihet tërë vëllimi artistik i verpës që në lexim të parë duket se është një vepër e angazhuar. Kjo mund, mbase, të arsyetohet edhe me përkushtimin e shkrimtarit të venë në vepër: “Ky është libër i dëshmive. Imazhi i tragjikës është vetëm fillimi i dhembjes”. Dhe mu me këtë moto, mu me këtë përkushtim dhe me këtë qëllim ai e ka shkruar veprën, por patjetër duke u mbështetur në frymëzimin, i cili pritet, pse jo, që në këtë rast të jetë paksa i prekshëm, paksa tragjik, paksa edhe “i drejtëpërdrejtë”, në kuptimin e mirë të domethënies. Dhe të gjitha këtyre synimeve, Engjëll I. Berisha ia arrin, madje edhe atëherë kur rrëfimi, në prozat e verpës, duket real, i përjetuar edhe nga lexuesit, të cilët në një mënyre apo tjetër, ishin dhe janë pjesëmarrësit e drejtëpërdrejtë të të gjitha tragjedive që ndodhën në këtë pjesë të atdheut, para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Madje, tragjikën e rrembimit, kidnapimit dhe të zhdukjes së personave në Meje e Korenicë, më 27 Prill 1999, autori e ka të përjetuar edhe në vatrën e tij familjare, por se ai lutet “për të gjithë ata martirët e 27 prillit 1999 dhe për të tjerët, të cilët janë bërë mësim se si vdiset për ta ruajtur pragun e shtëpisë, sepse janë gjaku ynë që nuk falet lehtë, duket se tingëllon aktualisht vargu emblematik i poetit Ali Podrimja “Kosava është gjaku ynë që nuk falet”. Bashkëdyzimi i këtij vargu me vargjet e tjera të veprës bëhen për qëllim të caktuar, dhe duket se ato tash lëvizin nëpër kujtesën dhe frymëzimin e poetit Berisha, për të përmbushur disi obligimin që e gërryen në thellësi /Hajt poet/shkruaje një fjalë/se ne ta donim fjalën në vargje/ dhe pse jo edhe për të bërë diçka për ata që të qetë e të pafajshëm janë shtrirë në Lëndinën e Lotëve të varrezave në Meje.
UDHËTIMI REAL DHE UDHËTIMI POETIK
Edhe pse vepra “Kujtesë e dehur” e Engjëll I. Berishës duket se është e koceptuar paksa ndryshe nga veprat e botuara deri tash të tij, ajo e ka një qëllim të caktuar, andaj bën pjesë në veprat e angazhuara artistike. Pse jo, kjo vepër i dedikohet luftës së fundit të Kosovës në përgjithësi, dhe Masakrës së mejës e të Korenicës, në veçanti. Paraqitja poetike e lëndës në këtë vepër bëhet nëpër një udhëtim imagjinar të poetit, i cili në të vërtetë është një kalvar real i shqiptarëve, jo vetëm i kësaj kohe më të afërt, por i të gjitha kohërave të luftërave të tyre për liri dhe pavarësi. Ky udhëtim, nga autori shënohet, përveç me figura poetike, edhe me emra konkretë gjeografikë, biblikë e mitologjikë, ku secili në dimension ka kuptimin dhe fuknsionin e vet. Kalvari i udhëtimit shtrihet edhe nëpër ciklet poetike të veprës duke u nominuar kuptimisht sepse fillon me një “Kartëpostale të bronztë” dhe kalon nëpër krajata tragjike me “Anije të dehur” duke u përbiruar “flakës së natës” një “shenjtëror i zi” andej kah “Hala e shqipes” e për t’u sosur më 23 Maj 2003 në rivarrimin e Mejes në Lëndinën e Lotve. Krajatat e këtij udhëtimi duken se shpesh, me qëllim e pa qëllim, bashkohen nëpër kthesat e historisë, për t’u kalitur dhe për t’u skalitur si dhembje lotësh, por edhe si krenari dhe dëshmi brezash që këtu denbabaden kanë jetuar shqiptarë që përpara janë identifikuar me emrin kombëtar e pastaj kanë treguar për përcaktimet e tyre fetare. Kjo duket se është ngirur në piedestalin e vetëdijes sonë sidomos në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa sa herë që duhej luftuar për liri a vdekje ringjallej dhe marshonte vatrave e trojeve tona. Kjo aromë hetohet edhe në vargjet e veprës “Kujtesë e dehur” të Engjëll i. Berishës: /ja pra sot në përbashkësi/ ju o njerëz të Zotit/ pushoni në përjetësi/ dy konfeksione e një gjak/ dy besime e një fat/ dy besime e një motiv lirie/ dy besime e vetëm një mënyrë e vdekjes/.
Përfundimin e udhëtimit real, apo kalvarit të zhbirjes e të zhdukjes të shqiptarëve nga agresorët serbë, autori e sheh të bashkëdyzuar me fatin tragjik të vdekjes e cila është e pamëshirshme, është e ftohtë, është e dhembshme, është përfundimtare. Kështu poeti vdekjen e zbut duke i dërguar të rivarrosurit në përjetësi për të mos e zbehur dhe për të mos e harruar kurrë kujtimin për ta, e sidomos kujtimin për vdekjen e tyre të përbashkët e cila në atë moment nuk kishte bërë kurrfarë zgjedhjeje as faljeje. Andaj përjetësia e kujtimit të tyre duhet bërë e shenjtë me vargje, sepse “arti nuk njeh kufi”, ndërsa “Poezia është një vlerë e shenjtë”, thotë Milan Kundera. Misionin e tij prej krijuesi Engjëll I. Berisha duket se nuk do ta përfundojë as realisht në Lëndinën e Lotve në Meje. Ai është i vetëdijshëm se riatdhesimi dhe rivarrimi i të zhdukurve ende nuk ka përfunduar sepse ligjet tiranike janë ende prezente në këtë hapësirë dhe /Kosova rrugë e moçme Golgotë/ I ngjan gjykimit Jezu/ kur Pilati hoqi dorë nga drejtësia/ për ironi trupin ua dorëzoi të marrëve/, shprehet ai në poezinë “Ligjet tiranike” faqe 86 të librit “Kujtesë e dehur”.
PËRFUNDIMI I UDHËTIMIT POETIK
Një njëfarë forme dhe në njëfarë domethënie përfundimi i golgotës shqiptare në kohë dhe hapësirë ende nuk ka përfunduar. Mbase ky shtresim disi hetohet edhe në këtë vepër të Engjëll I. Berishës. Edhe pse ai lutet që kjo më mos të përsëritet, mos të ndodhë, prapë se prapë, ai kërkon që kjo mos të harrohet kurrësesi, sepse njeriu duhet kërkuar që t’i falen mëkatet e edhe të falë, por kurrësesi nuk duhet harruar ajo që ka ndodhur. Këtë qëllim ai e ka të shtruar edhe artistikisht në këtë vepër. Kështu, bashkëdyzimi i përfundimit të udhtëtimi real e poetik disi dalin funksionalisht dhe reciprokisht edhe pse poeti Berisha në fund të vëllimit “Kujtesë e dehur” në poezinë “Lindjet e popullit tim” shprehet: / Bekoji lindjet e popullit tim/ o Hy, kurdoherë të pafajshme/ që vijnë në vullnetin Tënd/ si lindje të paskajshme/.
Kjo vepër e Engjëll I. Berishës me siguri do të jetë edhe një dëshmi poetike për një kohë, për një tragjedi, për një dhembje, për një padrejtësi, për një mall të pashuar kurrë në kujtesën e këtij populli të djegur e të pjekur në zjarrin e luftës së fundit çlirimtare të Kosovës. Mbase, vargjet e tij do të jenë një jehonë e gjatë në kujtesën tonë që të mos harrohen kurrë të gjitha ato që janë përjetuar. Mbase ky është edhe qëllimi i shenjtë i poezisë në veçanti dhe i artit në përgjithësi.
|